Në datën 13.12.2017 u zhvillua mbledhja e Këshillit Kombëtar të Ujit (KKU) ku u trajtuan pikat e mëposhtëme:
- Projektvendim i propozuar nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, për miratimin në parim të “Strategjisë Kombëtare të Menaxhimit të Integruar të Burimeve Ujore, 2017-2027”.
Strategjia Kombëtare e Menaxhimit të Burimeve Ujore është një dokument planifikimi, që përcakton vizionin e politikave të shtetit, misionin, qëllimet dhe objektivat në fushën e menaxhimit të integruar të ujërave, për një periudhë afatgjatë.
Mas miratimit në Këshillin Kombëtar të Ujit, “Strategjisë Kombëtare e Menaxhimit të Integruar të Burimeve Ujore, 2017-2027”, do të paraqitet për miratim në Këshillin e Ministrave
- Miratimi i lejes, “Për përdorim burimi ujor”, për prodhim hidroenergjie, për HEC-et “Shëngjon 1”; “Shëngjon 2”; “Shëngjon 3”; me vendndodhje në fshatin Shëngjin, Njësia Administrative Fan, Bashkia Mirditë, Qarku Lezhë.
Zona ku parashikohet të ndërtohen tre hidrocentralet ndodhet në pellgu ujëmbledhës të Fanit të Vogël, i cili përfshihet në basenin ujor Mat.
Hidrocentrali “Shëngjon 1” parashikohet të ndërtohet në rrjedhën e përroit të Shëngjinit, i cili ndodhet në krahinën malore veriore të luginës së lumit Fani i Vogël, ku ky i fundit është degë e lumit Mat. Hidrocentralet “Shëngjon 2” dhe “Shëngjon 3” parashikohet të ndërtohen në rrjedhën e përroit të Kënellës, i cila është degë e lumit Fan i Vogël.
- Prezantim i STKKU lidhur me ndërhyrjen ndaj shfrytëzimit dhe gërryerjes së brigjeve dhe shtretërve të lumenjve.
Shfrytëzimi pa kriter i inerteve lumore gjatë këtyre viteve, ka sjellë një degradim të vazhdueshëm të lumenjve në vendin tonë, i cili po ndikon në prishjen e ekuilibrave mjedisorë, rritjen e shkallës së erozionit dhe rritjen e riskut nga përmbytjet. Raporte dhe studime të ndryshme e evidentojnë këtë shqetësim dhe kërkojnë marrjen e masave, për të mos patur pasoja të parikuperueshme.
Ndërhyrja ndaj shfrytëzimit dhe gërryerjes së brigjeve dhe shtretërve të lumenjve, është një nga aksionet e ndërrmarra në kuadër të rreformës për mirëqeverisjen e ujit.