Rreth Këshillave

KËSHILLI I BASENIT LUMOR

Këshilli i basenit lumor është organi përgjegjës për menaxhimin e integruar të burimeve ujore në basenin përkatës, në nivel vendor. Këshilli i basenit lumor ka këto detyra

a) siguron ruajtjen dhe zhvillimin sa më racional të burimeve ujore brenda kufijve të basenit përkatës ujor;

b) siguron shpërndarjen e drejtë të burimeve ujore brenda kufirit të basenit përkatës lumor, sipas qëllimeve të përdorimit dhe drejtimin e administrimin e efektshëm të tyre;

c) siguron mbrojtjen e burimeve ujore nga ndotjet, shpërdorimet dhe dëmtimet që prekin cilësinë dhe sasinë e tyre;

ç) identifikon trupat ujorë përkatës që kanë nevojë për mbrojtje.

Këshilli i basenit ujor për basenin ujor përkatës duhet të identifikojë në mënyrë të veçantë:

a) të gjitha trupat ujorë të destinuar për konsum njerëzor, që japin mesatarisht mbi 10 m³ në ditë ose që furnizojnë më shumë se 50 njerëz;

b) të gjithë trupat ujorë të destinuar për përdorime të tilla në të ardhmen.

Këshilli i basenit ujor dhe organet përkatëse të administrimit dhe menaxhimit të burimeve ujore duhet të sigurojnë mbrojtjen e burimeve ujore, me qëllim që të shmangin përkeqësimin e cilësisë së tyre dhe të kryejnë pastrimin e nevojshëm në atë nivel, me qëllim përftimin e ujit të pijshëm.

Organet e administrimit dhe menaxhimit të burimeve ujore në nivel baseni

Këshilli i basenit ujor lëshon autorizimet dhe lejet në rastet kur aktiviteti do të kryhet brenda territorit të Republikës së Shqipërisë dhe brenda kufijve të një baseni të vetëm.

Ndryshimi i lejeve

Këshilli i basenit ujor ka të drejtë të vendosë në lidhje me pezullimin e përkohshëm, të përhershëm ose ndryshimin e lejes dhe autorizimit, kur është në kompetencën e këtij organi, nëse rrethanat, në të cilat është bazuar dhënia e tyre, kanë ndryshuar ose kur krijohen rrethana të reja, të cilat, nëse do të kishin ekzistuar në kohën e dhënies, do të kishin çuar në refuzim të lejes ose lëshimin e lejes me kushte dhe afate të tjera.

Këshilli i basenit ujor, për rastet kur kompetencën për pezullimin e përkohshëm, të përhershëm ose ndryshimin e lejes dhe autorizimit e ka Këshilli Kombëtar i Ujit, bën propozimet përkatëse me vendim formal, i cili i dërgohet Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore për t’u shqyrtuar nga Këshilli Kombëtar i Ujit.

Monitorimi

Këshilli i basenit ujor zbaton programin e monitorimit të statusit të ujërave, në mënyrë që të përcaktohet një rishikim koherent dhe i kuptueshëm i statusit të ujit, brenda secilit basen. Për ujërat sipërfaqësore, programe të tilla mbulojnë:

a) statusin ekologjik, kimik e mikrobiologjik, potencialin ekologjik, si dhe biodiversitetin;

b) vëllimin dhe nivelin ose shkallën e rrjedhjes që kërkohet për të arritur statusin përkatës ekologjik dhe kimik, potencialin ekologjik.

Për ujërat tokësore, këto programe mbulojnë monitorimin e statusit kimik dhe të statusit sasior.

Sipas rastit, programet plotësohen duke iu referuar edhe specifikimeve të dhëna në legjislacionin për zonat e mbrojtura. Programi për ujërat nëntokësore mbulon dhe trajton monitorimin e statusit kimik dhe sasior.