Më datë 9 Maj 2018, në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Ujit u trajtuan pikat, si më poshtë.
- Shfuqizimin pjesërisht të vendimit nr. 12, datë 26.10.2016, të Këshillit Kombëtar të Ujit “Për miratimin e lejes “Për përdorim burimi ujor” për prodhim hidroenergjie për HEC-et “Bigas 1”, “Bigas 2”, “Veleshnje”, me vendndodhje: pellgu ujëmbledhës i përroit Bigas dhe i përroit Veleshnje, njësitë administrative Potom, Çepan, Bashkia Skrapar, Qarku Berat.
Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit me vendimin nr.1, datë 15.02.2018 dhe nr.prot.590 “Për konstatimin e pavlefshmërisë absolute të vendimit nr.13, nr. identifikimi 137, datë 26.3.2015, “Për vendimin për VNM paraprake”, ka vendosur: “Konstatimin e palvlefshmërisë absolute të aktit administrativ, “Vendim për VNM paraprake nr.13, nr. identifikimi 137, datë 26.3.2015”, për aktivitetin “Instalime për prodhimin e energjisë hidroelekrike për hidrocentralet Bigas 1 dhe Bigas 2”, në pellgun ujëmbledhës “Përroi i Bigasit”, Skrapar.
Në kushtet kur, leja e mjedisit për HEC-et “Bigas 1”, “Bigas 2”, është konstatuar nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit si një akt absolutisht i pavlefshëm, në zbatim të neneve 42, 109, 113, të Kodit të “Procedurave Administrative”, STKKU filloi procedurën për shfuqizimin pjesërisht të vendimit të KKU-së për HEC-et “Bigas 1” dhe “Bigas 2”.
- Prezantim i STKKU-së lidhur me ndërhyrjen ndaj shfrytëzimit dhe gërryerjes së brigjeve dhe shtretërve të lumenjve.
Shfrytëzimi pa kriter i inerteve lumore gjatë këtyre viteve, ka sjellë një degradim të vazhdueshëm të lumenjve në vendin tonë, i cili po ndikon në prishjen e ekuilibrave mjedisorë, rritjen e shkallës së erozionit dhe rritjen e riskut nga përmbytjet. Raporte dhe studime të ndryshme e evidentojnë këtë shqetësim dhe kërkojnë marrjen e masave, për të mos patur pasoja të parikuperueshme.
Duke e vlerësuar situatën si shumë shqetësuese, Urdhri i Kryeministrit nr.228, datë 01.12.2017, vendosi “Ngritjen e grupit qendror ndërinstitucional të punës dhe grupeve vendore të punës për ndërhyrjen ndaj shfrytëzimit dhe gërryerjes së brigjeve dhe shtretërve të lumenjve”. Grupet vendore drejtohen nga gjashtë Prefektët e Qarqeve, që janë edhe Kryetarë të Këshillave të Baseneve.
Si pjesë e reformës për mirëqeverisjen e ujit, gjatë kësaj mbledhje, anëtarët e KKU-së u njohën me ecurinë e këtij procesi. Gjatë takimit u paraqitën hapat e marra, vështirësitë e vëna re, si dhe nevoja për mbështetje.
- Prezantim i STKKU-së për fillimin e procesit të formalizimit të veprimtarisë së shfrytëzimit të ujërave nëntokësore.
Informaliteti në përdorimin e ujërave nëntokësore, solli si rrjedhojë marrjen e disa masave ligjore lidhur me mundësinë formalizimit të përdoruesve të ujërave nëntokësore, për të futur këtë problematikë në rrugë ligjore.
Ndryshimi i ligjit 111/2012 “Për menaxhimin e burimeve ujore” me anë të dispozitës tranzitore, hap rrugën për fillimin e procedurave për marrjen e autorizimeve ose lejeve.
Me ngritjen e Agjensisë të Menaxhimit të Burimeve Ujore, do të paraqitet për miratim Vendimi i Këshillit të Ministrave i cili i jep mundësinë individëve dhe subjekteve për tu vetdeklaruar dhe për tu pajisur me leje ose autorizim.
Hapat që do të ndërmerret, si dhe procedurat që do të ndiqen, të konsultuara këto edhe me aktorët kryesor, ju paraqiten anëtarëve të KKU për njohje, përpara se të kalojnë për vendimmarrje në Këshillin e Ministrave.
- Prezantim i Kryetarit të Komitetit Kombëtar të Digave të Mëdha lidhur me problematikat e vëna re nga ky Komitet
Një shqetësim i ngritur, herë pas here nga Komiteti Kombëtar i Digave të Mëdha, ka qenë situata e digave në vendin tonë. Një numër i konsiderueshëm i tyre, paraqesin probleme dhe difekte, që vinë si rrjedhojë e mirëmbajtjes dhe mbikqyrjes jo në nivelin e duhur.
Ecja drejt zhvillimit na detyron që të evidentojmë dhe planifikojmë veprime të domosdoshme në të ardhmen të cilat do saktësojnë gjëndjen aktuale të digave si dhe futjen nën kontroll të jetës së tyre si për shfrytëzimin e ujit ashtu edhe për sigurinë publike.