Ditën e premte, me datë 15.2.2019, ora 10:00 në ambientet e Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore u mbajt takimi i parë i GT “Burimet Ujore”.
Takimi u organizua nga AMBU në rolin e sekretariatit teknik të këtij grupi.
Në zbatim të Urdhrit të Kryeministrit Nr. 157, datë 22.10.2018 “Për marrjen e masave për zbatimin e qasjes së gjerë sektoriale/ndërsektoriale mekanizmi sektorial/ndërsektorial i integruar”, për funksionimin e këtij të fundit, kërkohet ngritja e strukturave të posacme: Grupet për Menaxhimin e Integruar të Politikave, Komitetet Drejtuese Sektoriale dhe grupet tematike. Grupet tematike bashkëveprojnë në nivel teknik dhe me partnerët për zhvillim, brenda sektorëve specifikë të fushë prioritare përkatëse.
Në takim morën pjesë përfaqësues të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Entit Rregullator të Ujit, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve, Komitetit të Digave, Ministrisë së Infrastrukturës dhe dhe Energjisë, Ambasadës suedeze dhe Agjencisë austriake për zhvillim, të caktuar si anëtarë të Grupit tematik “Burimet Ujore”.
Sipas axhendës së përgatitur në takim u diskutua mbi:
- qasjen e gjerë sektoriale/ndërsektoriale dhe njohjen me detyrat e institucioneve përgjegjëse
- detyrat dhe afatet e përcaktuara në shtojcat përkatëse të urdhrit
- parimet bazë të menaxhimit dhe zhvillimit të sektorit të ujit ku mbështetet qasja politike
- ndryshimet ligjore në menaxhimin e integruar të burimeve ujore
- kompetencat e ndryshuara në menaxhimin e burimeve ujore
- Strategjinë Kombëtare për Menaxhimin e Integruar të Ujit
- Objektivat Strategjike
- Planin e veprimit të SMIBU
- Si rezulton buxheti i planifikuar ne planin e veprimit dhe si lidhet me PBA-ne
Në fund të takimit, pas diskutimeve lidhur me çështjet e sipërpërmendura, anëtarët e grupit u ftuan të dërgojnë në formë elektronike plotësimin e planit të veprimit sipas përgjergjësive përkatëse institucionale dhe u dakordësua parimisht për zhvillimin e mbledhjes së radhës.