Prezantimi i hartave të rrezikut nga përmbytjet i Projektit PRONEWS me mbështetjen e BE

Prezantimi i hartave të rrezikut nga përmbytjet i Projektit PRONEWS me mbështetjen e BE

Qeveria shqiptare me mbështetjen e BE-së është përfituese e projektit PRONEWS “Programi për Përmirësimin e Sistemeve të Paralajmërimit të Hershëm Kombëtar dhe Parandalimit të Përmbytjeve në Shqipëri”.

Komponenti C i këtij projekti lidhet me “Zhvillimin dhe Vlerësimin Paraprak të Riskut nga Përmbytja dhe Identifikimin e zonave me rrezik potencial të konsiderueshëm nga përmbytjet”.

 

Pasi projekti ka identifikuar paraprakisht zonat me risk kundrejt përmbytjeve (APSFR), procesi ka vijuar me modelimin hidraulik të zonave dhe përgatitjen e hartave të rrezikut nga përmbytjet (hazard maps) për zonat e vlerësuara me rrezikshmëri të lartë nga përmbytjet në basenet ujore Ishëm, Erzen, Shkumbin, Seman dhe Vjosë (5 nga 7 basenet ujore).

 

Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, në datat 26 dhe 27 maj 2020 organizoi takime në platformë online me qëllim informimin e anëtarëve të këshillave të baseneve ujore si dhe të gjithë aktorët e tjerë, të cilët përfshijnë në fushat e përgjegjësisë së tyre mbrotjen nga përmbytjet apo menaxhimin e burimeve ujore në përgjithësi.

 

Në takime u prezantuan hartat e rrezikut nga përmbytjet të krijuara nga projekti, të dhënat respektive që këto harta përmbajnë, si edhe metodologjinë dhe teknologjinë e implementuar për hartimin e tyre.

 

Në përmbushje të hapave të përcaktuara në Direktivën e BE “Për menaxhimin e riskut nga përmbytjet”, hartat e rezikut do të shërbejnë për krijimin në vijim të hartave të riskut nga përmbytjet, të cilat më pas do të përdoren nga këshillat e secilit basen dhe institucionet e tjera përgjegjëse, për hartimin e planeve të menaxhimit nga përmbytjet për çdo basen ujor të Republikës së Shqipërisë.