Bruksel – Procesi i screening-ut për Kapitullin 27 – Mjedisi dhe Ndryshimet Klimatike nisi zyrtarisht për Shqipërinë, duke shënuar një moment historik në rrugëtimin e vendit drejt integrimit evropian.
Majlinda Dhuka Kryenegociatore për Shqipërinë dhe Ministre Shteti, Adea Pirdeni, zv/Kryenegociatore, si dhe Almira Xhembulla, zv/Ministre për turizmin dhe mjedisin dhe Drejtuese e Grupit Ndërinstitucional të Punës për Kapitullin 27, drejtuan në një takim 3 ditor, ekipin e përfaqësuesve të 15 institucioneve të qeverisë shqiptare për Kapitullin 27.
Përfaqësuesit e institucioneve qëndrore dhe Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore (AMBU) prezantuan progresin dhe sfidat në sektorin e Mjedisit dhe Ndryshimeve Klimatike, si dhe nevojat për zbatimin e 10 direktivave të BE-së që lidhen me Nënsektorin e ujit, si pjesë e Kapitullit 27.
Përfaqësuesit e qeverisë shqiptare prezantuan me standard të lartë dhe u përgjigjën pyetjeve të ekspertëve të BE-së lidhur me direktivat pëtrkatëse.
Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, si institucioni kryesor për nënkapitullin e Ujit, pjesë e kapitullit 27, bashkë me përfaqësues të 15 institucioneve qeveritare që angazhohen drejtëpërdrejtë në këtë sektor, punojnë që prej kohësh për realizimin e vizionit të përbashkët të integrimit evropian dhe për përafrimin e legjislacionit shqiptar me acquis e Ujit në BE.
Gjatë prezantimeve në këtë fazë të screening-ut, u trajtuan direktivat si Direktiva Kuadër e Ujit, Direktiva e Përmbytjeve, Direktiva e Ujërave Nëntokësorë, Direktiva e Nitrateve, Direktiva e Strategjisë Detare dhe një sërë direktivash të tjera.
Në sektorin e ujit, pikat dhe hallkat më të rëndësishme dhe komplekse të procesit të përafrimit me direktivat e BE-së, ku Shqipëria ka bërë përparim në hartimin e dokumenteve planifikuese dhe strategjike në përputhje me kërkesat e BE-së, janë: Legjislacioni i Ujit, hartimi dhe zbatimi i Planeve të Menaxhimit të Baseneve Ujore dhe Planeve të Menaxhimit nga Rreziku nga Përmbytjet.
Grupi i punës do të vazhdojë punën me përgjegjësi dhe seriozitet në zbatimin e rekomandimeve të lëna nga përfaqësuesit e Komisionit Evropian gjatë këtij procesi, për të arritur objektivat e vendosura dhe për të përmbushur synimin e përbashkët të integrimit të Shqipërisë në BE.
Puna me standarde të larta do të vijojnë duke konsideruar detyrimet tona ndaj partnerit të rëndësishëm, Bashkimit Evropian, me qëllim që Shqipëria të përmbushë sa më shpejt standardet dhe kriteret e nevojshme për të përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve shqiptarë dhe garantuar një të ardhme evropiane për të rinjtë.