Deklarata e Sekretarit Kombëtar të Ujit
Reforma për mirëqeverisjen e ujit, do të ketë në fokus burimin ujor në kontekstin e mirëadministrimit dhe mbrojtjes së tij, jo vetëm për sot, por edhe për gjeneratat e së ardhmes.
Një nga ndërhyrjet që do të ndërmerren në kuadër të kësaj reforme ka të bëjë me shfrytëzimin dhe gërryerjen e brigjeve dhe shtretërve të lumenjve.
- Ndalimi i menjëhershëm i shfrytëzimit dhe marrjes së materialeve inerteve lumore pa kriter;
- Largimi i nyjeve të inerteve dhe materialit stok të depozituar në brigjet e lumenjve;
- Ulje e shkallës së erozionit;
- Mbrojtja e dinamikës natyrore të ujërave nëntokësore.
Do te jenë pikësynimet e kësaj ndërhyrjeje.
Nga sot, të gjitha subjektet që do të identifikohen në shtretërit dhe brigjet e lumenjve, apo liqeneve, me apo pa ujë në atë zonë, do të procedohen në zbatim të kuadrit ligjor në fuqi dhe do t’ju sekuestrohen mjetet, sipas ligjeve në fuqi.
Deklarata e Prefektit të Qarkut Shkodër
Mirëadministrimi i burimeve ujore është një nga përgjegjësitë e Këshillit të Basenit Ujor. Unë jam sot këtu para jush, jo vetëm si Prefekt i Qarkut Shkodër, por edhe si Kryetari i Këshillit të Basenit Ujor Drin-Bunë.
Burimet ujore në vendin tonë janë pronë shtetërore dhe përdorimi i tyrë lejohet vetmë në përputhje me legjislacionin në fuqi. Shfrytëzimi pa kriter i materialeve inerte nga shtretërit dhe brigjet e lumenjve është një nga problematikat e vëna re vit pas viti.
Në kuadër të reformës për mirëqeverisjen e ujit, të gjitha institucionet përgjegjëse në territorin e këtij baseni, po marrin masa për verifikimin e situatës duke proceduar bazuar në legjislacionin në fuqi, ndaj shkelësve të saj.