Në datën 22-23 nëntor 2017 në Podgoricë të Malit të Zi u zhvillua takimi i 5-të i përfaqësuesve të komitetit drejtues në kuadër të zbatimit të Memorandumit të Mirëkuptimit për “Drin – Një vizion strategjik i përbashkët”, i vitit 2011, si edhe në zbatim të projektit që ka nisur në zbatim të tij “Mundësimi i bashkëpunimit në nivel ndërkufitar për menaxhimin e integruar të burimeve ujore në basenin e Drinit”.
Tematikat kryesore të diskutuara në këtë takim, si më poshtë vijon:
- Rishikim i raportit të takimit të 13-të të Palëve të Drin Core Group (DCG)/4th dhe raporti i takimit të 4-të të komitetit drejtues të GEF Drin Project;
- Prezantimi i përgjithshëm i ecurisë së punës së Drin CORDA – Raporti i vitit 2017;
- Prezantimi i përgjithshëm i Raporteve në përmbajtje të Analizës Diagnostike Ndërkufitare për Drinin;
- Prezantim i Raportit Tematik – Situata Social Ekonomike;
- Prezantim i Raportit Tematik – Biodiversiteti dhe Ekosistemet;
- Prezantim i Raportit Tematik – Kuadri institucional dhe ligjor;
- Prezantim i sistemit të informacionit të propozuar për shkëmbimin e të dhënave;
- Raporti mbi menaxhimin e përmbytjeve;
- Diskutime mbi Planin e Punës të vitit 2018.
Çështje kryesore që u diskutuara ishte përgatitja e analizës diagnostike ndërkufitare (TDA). Ky dokument, do të jetë një raport i përmbledhur i cili do të përmbajë informacion për tematikat social-ekonomike, biodiversitetin, hidrologjinë, ndotjen, kuadrin ligjor dhe institucional si edhe Nexus. Finalizimi i TDA do t’i japë mundësi vendeve palë që të vendosin sëbashku për çështjet prioritare në basen, sikurse edhe të negociojnë mbi hartimin e planit strategjik të veprimit.
Raporti tematik për situatën social-ekonomike në basen është përgatitur nga konsulenti “Pointpro”.Kërkuam që eksperti të plotësojë me referenca të gjitha të dhënat e pasqyruara. Evidentuam disa komente në lidhje me burimet e energjisë të cilat duhet të saktësoheshin. Referuar impianteve të trajtimit të ujërave të ndotur urbanë u kërkua që informacioni të saktësohej duke përfshirë impiantin e trajtimit të ujërave të ndotur urbanë të Velipojës.
Raporti tematik për biodiversitetin është përgatitur nga konsulenti “Zavita”. Problematikat e paraqitura në këtë dokument i referohen elementëve biologjikë të nevojshëm për përcaktimin e statusit të burimeve ujore në basenin e Drinit, në përputhje me kërkesat e DKU-së së BE-së.
Raporti tematik për kuadrin ligjor dhe institucional është përgatitur nga Sekretariati i UNECE-s dhe stafi i projektit të DrinCorda. Ky dokument identifikon faktorët kryesorë që ndikojnë në çështjet ndërkufitare të lidhura me kuadrin ligjor dhe institucional, politikat dhe strategjitë si edhe isntrumentat e menaxhimit.
Gjatë u diskutua takimit edhe ngritja e sistemit të menaxhimit të informacionit në basen. Përfaqësues të vendeve të ndryshme ngritën shqetësimin se vendet palë në projekt janë në faza të ndryshme të zhvillimit të informacionit që kanë në dispozicion por edhe të cilësisë së këtij informacioni. U vendos që përpara ngritjes së këtij sistemi ku parashikohet shkëmbimi i të dhënave në basen, të dakordësohet mbi llojin e informacionit që do të shkëmbejnë. Së dyti, m.q.s ngritja dhe mirëmbajtja e këtij sistemi ka kosto të lartë, projekti Drin merr përsipër financimin e fazës së parë të zhvillimit të tij.
Për sa i përket tematikës së menaxhimit të përmbytjeve u diskutua mbi draft termat e referencës të përgatitura nga sekretariati i projektit mbi grupin e punës së ekspertëve mbi përmbytjet. Në lidhje me këtë draft pati diskutime mbi anëtarësinë e kompanive të prodhimit të energjisë në kaskadën e Drinit. Në takim u propozua që komunkimi zyrtar të bëhet nga ministrit e linjës përgjegjëse për energjinë, duke bërë me dije edhe komapanit e prodhimit të energjisë. U dakordësua që ky draft do të përcillet tek të gjithë anëtarët e grupeve të ekspertëve për mendime. Komentet nga STKKU iu dërguan sekretariatit të DCG më datë 11.12.2017, por ende nuk është përcjell drafti final.
Në fund të takimit u miratua raporti takimit të 13-të të Palëve të Drin Core Group (DCG)/4th dhe raporti i takimit të 4-të të komitetit drejtues të GEF Drin Project.
