Konferencën për qeverisjen e ujit në vendet e rajonit të Mesdheut, Barcelonë

Konferencën për qeverisjen e ujit në vendet e rajonit të Mesdheut, Barcelonë

Në datat 12-14 dhjetor në Barcelonë të Spanjës u zhvillua konferenca mbi qeverisjen e ujit në vendet e rajonit të Mesdheut, me fokus në forcimin e integritetit dhe financimin e sigurisë së ujit dhe zhvillimit të qëndrueshëm. Në këtë konferencë morën pjesë përfaqësues të lartë nga institucione të ndryshme të lidhura me menaxhimin e integruar të burimeve ujore të vendeve respektive pjesë të rajonit të Mesdheut, përfaqësues të fushës akademike si edhe nga shoqëria civile.

Konferenca u organizua në tre ditë pune të ndara në sesione me tematika të ndryshme të sektorit të ujit. Në ditën e parë tematikat kryesore të diskutuara ishin qeverisja e ujit dhe financimi i Nexus, çfarë ka ndodhur në të shkuarën dhe projeksionet e mundshme për të ardhmen. Në panelin e hapjes së kësaj konference pjesmarrësit u njohën me situatën e përgjithshme të menaxhimit të sektorit të ujit në Shqipëri, problemet kryesore teknike, institucionale dhe financiare që e kanë shoqëruar këte sektor gjatë dekadave të fundit. Gjithashtu u bë një përshkrim i shkurtër mbi projektet dhe investimet e kryera në sector, pa anashkaluar falenderimet përkatëse për donatorët dhe investitorët privat të huaj të cilët kanë dhënë kontributin e tyre në përmirësimin e performances së sektorit.  Pjesmarrësit u njohën edhe me qasjen e re sektoriale të lançuar nga qeveria shqiptare në 2015, rolin e STKKU si sekretariati i GMIP-së për ujin si edhe puna e realizuar deri tani në përgatitjen e draft programit kombëtar sektorial për ujin dhe draft strategjinë për mënaxhimin e integruar të burimeve ujore.

Në ditën e dytë konferenca u fokusua në atë që quhet integriteti i ujit, transparenca, llogaridhënia dhe mësimet e marra nga eskperiencat e së shkuarës. Në një sesion të caktuar u zhvillua edhe ‘zona e tregut’, ku në stenda të ndryshme u prezantuan në mënyrë të përmbledhur të gjitha propozimet / aksionet e ndërrmara nga vendet e rajonit të Mesdheut në kuadër të qeverisjes së mirë të ujit.

Në ditën e tretë konferenca u fokusua në çëshjet kryesore të lidhura me qeverisjen e ujit. Pjesmarrësit u ndanë në 5 grupe kryesore: vendimmarrësit, financuesit, shoqëria civile dhe akademikët, shoqëritë e ujësjellës kanalizimeve dhe integriteti i ujit. Secili grup, pas diskutimeve dhe analizave, propozoi disa rekomandime specifike.

Në përfundim u ra dakord që burimet financiare janë një element shumë i rëndësishëm në sektorin e ujit drejt arritjes së një qeverisjeje të mirë sikurse edhe drejt arritjes së integritetit. Ndaj pjesmarrja e sektorit privat në formë PPP është tejet e nevojshme.