Samiti i Ohrit “Blue Economy”

Samiti i Ohrit “Blue Economy”

Në datat 2-3 nëntor 2022, në Ohër të Maqedonisë së Veriut u zhvillua Samiti “Ohrid Blue Economy Summit”, i organizuar nga “Prime Point Partners” dhe “CEI (Central Europe Initiative)”, me fokus Ekonominë Blu.

Samiti kishte për qëllim ndërgjegjësimin për rritjen ekonomike dhe mundësitë e zhvillimit të ekonomisë blu dhe të adresonte rëndësinë dhe sfidat specifike të qëndrueshmërisë të ujit të ëmbël veçanërisht në Liqenin e Ohrit dhe zonën më të gjerë të basenit të lumit Drin.

Pjesë e tryezës së diskutimeve dhe workshopit ishte edhe Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore.

Nga përfaqësues të Maretime ICT Cluster, Greece, EU for Economic Growth, GIZ N.Macedonia dhe Swiss EP u prezantua koncepti i Ekonomisë Blu dhe fushat e veprimit dhe mbështetur në këtë temë, përfaqësuesve të institucioneve arsimore dhe shkencore te Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë shkëmbyen eksperiencat dhe mbështetjen që i japin këto institucione, konceptit të zhvillimit të brezave për ekonominë Blu.

Kompani private të krijuara në Ballkanin perëndimor dhe të ndërlidhura me ujin, prezantuan vështirësitë dhe arritjet ku vlen të përmendet “Sentinel Marine Solution” si kompani lider në BE në fushën e sistemeve të integruara për Jahtet.

Përfaqësuesi e AMBU-së, z Sead Sadiku (drejtor i Zyrës së Administrimit të Basenit Ujor Drin-Bunë), në panelin për Krijimin e ekosistemit ndërkufitar të ekonomisë Blu në Liqenin e Ohrit, Prespës dhe lumit Drin në tersi,  shkëmbeu eksperiencën e vendit tonë në menaxhimin e burimeve ujore dhe liqeneve ndërkufitare në veçanti.

Pjesëmarrësit në panel u njohën me legjislacionin aktual të Shqipërisë në fushën e ujit dhe funksionimin e strukturave vendimmarrëse dhe ekzekutive për menaxhimin e integruar të burimeve ujore si edhe mbështetjen konkrete që është dhënë nga donatorët për hartimin e Planit të Menaxhimit të Baseni Ujor Drin-Bunë, projekt-Planin e Menaxhimit të Rrezikut nga Përmbytjet për një pjesë të këtij baseni si dhe projektet aktuale në proces.

U theksua se mungesa e një marrëveshje ndërshtetërore ndërmjet Shqipërisë me Maqedoninë e Veriut për menaxhimin e burimeve ujore, bëhet pengesë në bashkëpunimin ndërkufitar, përfshirë këtu edhe atë ekonomik, në liqenin e Ohrit, Prespës dhe lumit Drin, duke bërë krahasimin me marrëveshjen e Shqipërisë me Malin e Zi e cila ka strukturuar bashkëpunimin ndërkufitar si dhe ka krijuar hapa konkret ndërveprimi (projekte në ndërtimin e infrastrukturës ankoruese në Liqenin e Shkodrës, koordinim në projekte të infrastrukturës së mbrojtjes lumore).

 

Nga përfaqësuesi e AMBU-së prezantoi edhe iniciativat e realizuara apo në proces për të mbrojtur statusin e trupave ujorë në funksion të cilësisë së ujërave tërësi dhe Liqenit të Ohrit në veçanti, ku përfshihet impianti i trajtimit të ujërave të ndotura Pogradec, plani për ndërtimin impiantit të Shkodrës dhe nevoja e mbulimit me sisteme pastrimi ujërash të ndotura të qendrave të banuara në të gjithë shtetet ku kalojnë ujërat e lumit Drinit për të garantuar ujë të pastër për një zhvillim të qëndrueshëm.