Pranë Sekretariatit Teknik të Këshillit Kombëtar të Ujit u zhvillua një takim i përbashkët me gjashtë prefektët, të cilët me marrjen e detyrës së re, ushtrojnë edhe funksionin e kryetarit të Këshillit të Basenit Ujor (KBU), si më poshtë:
- Prefekti i Qarkut Shkodër, Z. Millja- Kryetar i KBU-së Drin-Bunë;
- Prefekti i Qarkut Lezhë, Z. Prendi- Kryetar i KBU-së Mat;
- Prefekti i Qarkut Tiranë, Znj. Jahollari- Kryetar i i KBU-së Ishëm-Erzen;
- Prefekti i Qarkut Elbasan, Z. Malaj- Kryetar i KBU-së Shkumbin;
- Prefekti i Qarkut Fier, Z. Bala- Kryetar i KBU-së Seman;
- Prefekti i Qarkut Vlorë, Z. Mamaj- Kryetar i KBU-së Vjosë.
Gjatë takimit me kryetarët e KBU-ve u diskutua për menaxhimin e integruar të burimeve ujore në vendin tonë, gjithashtu u informuan mbi rolin, detyrat dhe përgjegjësitë që ata kanë.
Reforma për mirëqeverisjen e ujit ishte një ndër temat më thelbësore të takimit me prefektët. Në cilësinë e kryetarëve të KBU-ve përkatëse u prezantua roli që ata do të kenë në këtë reformë, konkretisht në shfrytëzimin dhe gërryerjen e brigjeve dhe shtretërve të lumenjve.
Lidhur me këtë pikë u dha një informacion i përgjithshëm mbi kuadrin ligjor në fuqi, si më poshtë:
- Ligji 111/2012, datë 15.112012 “Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore”;
- VKM nr. 416, datë 13.5.2015 “Për miratimin e kushteve të përgjithshme e të posaçme, dokumenteve shoqëruese, afatit të vlefshmërisë, formularëve të aplikimit për autorizim dhe leje, procedurave të shqyrtimit e vendimmarrjes dhe formateve të autorizimit e lejes për përdorim të burimeve ujore”;
- Vendim i KKU-së nr. 1, datë 21.6.2006 “Për reduktimin e shfrytëzimit të zhavoreve dhe rërave në shtretërit e lumenjve”;
- Vendim i KKU-së nr. 1, datë 13.1.2010 “Për ndalimin e përkohshëm të dhënies së lejeve të reja për shfrytëzimin e zhavoreve në shtretërit e lumenjve”;
- Vendim i KKU-së nr. 1, datë 7.7.2011 “Për menaxhimin e shfrytëzimit të zhavorreve për ndërtimin e rrugëve”;
- Vendim i KKU-së nr. 2, datë 27.7.2012 “Për një ndryshim në vendimin e Këshillit Kombëtar të Ujit nr. 1 datë 7.7.2011, për menaxhimin e shfrytëzimit të zhavorreve për ndërtimin e rrugëve”;
Kryetarëve të KBU-ve ju bë me dije, se shfrytëzimi pa kriter i shtretërve të lumenjve gjatë këtyre viteve ka sjell një degradim të vazhdueshëm të shoqëruar me pasojat si më poshtë:
- Intensifikimi i procesit të erozionit;
- Humbje të sipërfaqes së tokës bujqësore;
- Rritja e riskut të shembjes së strukturave si rrugë, argjinatura dhe ndërtesa në brigjet e lumenjve;
- Rritja e dëmeve që shkaktojnë plotat gjatë përmbytjeve dhe zgjatja e ditëve nën ujë të këtyre zonave;
- Ulja e nivelit të ujërave nëntokësore me pasoja në furnizimin me ujë nga puset nëntokësore;
- Prishja e dinamikës natyrore të aluvioneve e cila transmetohet deri në vijën bregdetare duke favorizuar avancimin e detit drejt tokës;
- Prishja e ekosistemeve natyrore dhe ekuilibrave natyrore.
Objektivi i kësaj ndërhyrjeje ka të bëjë me mbrojtjen e shtretërve të lumenjve nga shfrytëzimi pa kriter i marrjes së inerteve me qëllim kthimin e ekuilibrave natyror të tyre, duke u zbërthyer në pikësynimet e mëposhtëme;
- Ndalimi i menjëhershëm i shfrytëzimit dhe marrjes së materialeve inerteve lumore pa kriter;
- Largimi i nyjeve të inerteve dhe materialit stok të depozituar në brigjet e lumenjve;
- Ulje e shkallës së erozionit, ngadalësimi dhe mbrojtja e tokës bujqësore;
- Mbrojtja e dinamikës natyrore të ujërave nëntokësore.
Në zbatim të neni 97, të ligji 111/2012, “Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore”, citohet se:
Pika 5. “Nxjerrja e materialeve inerte, si rërë, zhavorr, që nxirren nga shtretërit e lumenjve, përrenjve, liqeneve me ose pa ujë, në kundërshtim me nenin 44 të këtij ligji, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë nga 1 000 000 lekë deri në 2 000 000 lekë”;
Pika 17. “Krahas dënimit me gjobë, në varësi të ndotjes dhe dëmtimit, vendoset dhe pezullimi i pjesshëm apo i plotë i aktivitetit, si edhe sekuestrimi i mjeteve dhe pajisjeve, të cilat kalojnë në rezervat e shtetit”.
Sëbashku u diskutua për hapat që do të ndërmerren nga data 15 nëntor, për ti dhënë fund abuzimit dhe keq përdorimit. Nga kjo datë, të gjitha subjektet që do të identifikohen në shtretërit dhe brigjet e lumenjve, apo liqeneve, me apo pa ujë në atë zonë, do të procedohen në zbatim të kuadrit ligjor në fuqi dhe do t’ju sekuestrohen mjetet, sipas ligjeve në fuqi.”
Foto rreth takimit:



