Në datat 10-12 Tetor 2018, në Astana, Kazakistan, u zhvillua Takimi i 8-të i Palëve të Konventës së Ujit.
Në këtë takim të nivelit të lartë u diskutuan çështje të rëndësishme siç është bashkëpunimi për ujërat ndërkufitar, duke patur në konsideratë që ky mekanizëm gjeneron përfitime të shumëfishta për basenet e shteteve dhe thekson rëndësinë e mundësisë për ndarjen e barabartë të këtyre përfitimeve, duke siguruar mbrojtjen e ekosistem.
Një rëndësi të veçantë pati dhe raportimi sipas Konventës dhe treguesit për qëllimet e zhvillimi të qëndrueshëm (SDG 6.5.1 dhe 6.5.2). Në këtë kuadër u kërkua edhe përditësimi i pikave fokale si për raportimin në Konventë ashtu edhe për raportimin mbi SDG 6
“Të sigurohet disponueshmëria dhe menaxhimi i qëndrueshëm i ujit dhe kanalizimeve për të gjithë”, më konkretisht për:
SDG 6.5.1 – Shkalla e zbatimit të menaxhimit të burimeve ujore të integruar (0-100);
SDG 6.5.2 – Përqindja e zonës ndërkufitare të basenit, me një marrëveshje operacionale për bashkëpunimin ujor;
për të cilat tashmë është përgjegjëse për ndjekje dhe raportim AMBU.
Gjithashtu u diskutua mbi zbatimin e konventës nëpërmjet projekteve në terren dhe zhvillimin e kapaciteteve si dhe bashkëpunimi me partnerët.
Ky takim ishte frytdhënës sa i takon dhe kontakteve me partnerët ndërkombëtar. Me kërkesë të Z. Marco Keiner, Drejtor i Divizionit të Mjedisit pranë UNECE, u organizua një takim bilateral me subjekt raportimin mbi ecurinë e reformës së sektorit të ujit si dhe Protokollit të Ujit dhe Shëndetit.
Gjatë këtij takimi, u raportua rreth reformës ne sektorin e ujit në Shqipëri, si dhe ndryshimet institucionale të ndërrmarra nga ana jonë. U vlerësua mekanizmi ndërinstitucional i ngritur nga ana jonë dhe si një model i mirë qeverisës u kërkua që të prezantohet në takimin “Tryeza e Rrumbullakët Rajonale mbi “Rrugën drejt ujit, energjisë, ushqimit dhe ekosistemeve Nexus në Evropën Juglindore (SEE)” që do të zhvillohet në Shkup të Maqedonisë në datat 23-24 Tetor, ku nga ana jonë do të prezantohet qasja sektoriale dhe Programin Kombëtar Sektorial.
Gjithashtu duke patur në konsideratë që Shqipëria e ka të ngritur tashmë mekanizmin ndërsektorial (AMBU, KKU, KBU), u propozua që projekti pilot për një basen në kuadër të NEXUS të implementohet për një basen në vendin tonë.